Shumë pak janë ata që nuk kanë pasur një zhgënjim nga pritshmëritë prej Edi Ramës. Shumë janë ata që thonë se Edi Rama ka bërë punë. Jam edhe unë ndër shumë të tjerë që them se Edi Rama ka bërë punë dhe që kam pasur dhe zhgënjime të mëdha prej tij. Nuk mund të mos përmendet këtu, përshembull, zhgënjimi i madh me ligjin e hartuar e miratuar prej të tijve e mbrojtur prej tij për importin e plehrave.

“Të bëjmë shtet” është leitmotivi i fushatës së Edi Ramës. Shumëkush e dëshiron këtë, duke e njojtur mungesën e një shteti sic do të duhej të ishte ndërtuar në Shqipëri në këto 27 vjet, por nuk ka ndodhur. Edi Rama po guxon ta bëj qëndrore në këtë fushatë këtë sfidë.

Nuk mund të thuhet se është komplet një farsë, për sa kohë ka dhënë disa prova në këto 4 vjet që ka ecur në këtë drejtim, pavarësisht kthesat e befta në drejtime të gabuara. Dhe prova më e madhe ishte reforma në drejtësi ( shkurt Vetingu) e kaluar tashmë me sukses.

Joshja e shtetbërjes është e fuqiqshme për adresimin e votës. Artikullshkruesi bën pjesë tek ai grup i madh votuesish që më 25 Qershor harron përkohësisht zhgënjimet dhe voton për shtetbërjen, duke besuar që më pas me një shtet më të fortë , do të bëhet e mundur që pjesmarrja e qytetarëve në vendimmarje të realizohet sipas ligjeve të shtetit, duke përdorur sic nuk ka ndodhur deri tani, të drejtën për t’ju drejtuar edhe Gjykatës për të mos i lënë dorë të lirë arrogancës së pushtetit e kështu zhgënjimi të kthehet në ndëshkim për gënjeshtarë e shpërdoruesit e pushtetit.

Betejat për mjedisin ndër më kryesoret me shtetin e Edi Ramës

Kur themi “të bëjmë shtet” thelbi është të zbatojmë ligjet e shtetit. Ligjet që janë dhunuar më shumë se gjithëkund tjetër në “shtetin e pa bërë” janë ato të mjedisit. Me mjedisin, sidomos atë publik është abuzuar pa fund në këto 27 vjet dhe vazhdon abuzimi në mënyrë të pandalshme, duke e shkatëruar atë gjoja për zhvillim.

Jo cuditërisht në këtë fushatë zgjedhore nuk flitet thuajse fare për mjedisin. Thjesh partitë nuk duan ti hapen petët lakrorit, se ndotja e vendimarrjes mjedisore është shumë e thellë në kohë dhe shumë e shtrirë në territorin e Republikës.

Tashmë janë 2 beteja mjedisore të shoqërisë civile me Shtetin në Gjykatë, ajo për dhunimin e 2 lumenjve më të mrekullueshëm të Shqipërisë, dhe komuniteteve që jetojnë në këto lugina, atë të Vjosës dhe të Valbonës për ndërtimin HECesh mbi to, thjesht për interesa klienteliste. Realisht duken shenja se Gjykata po ndryshon dhe po merr fund nëpërkëmbja totale e deritanishme e shoqërisë civile, edhe pse akoma është herët për të qënë tepër optimist.

Një betejë e madhe pritet për të mbrojtur parkun Kombëtar Divjak — Karavasta, apo zonën e mbrojtur të Nartës nga një agression i madh betonizimi me emertimin resort turistik.

Betejë e papëfunduar është beteja për ndalimin e importit të plehrave në Shqipëri

Super betejë e pritshme me Shtetin që kërkon të bëj Edi Rama do të jetë për ndalimin e agresionit të intesifikimit të mëtejshëm të ndërtimeve në Tiranë me qiellgërvishës, që do ta bënte në pak vite Tiranën, qytet të pabanueshëm.

Po, po, betejat për mjedisin, pasurinë më të cmuar të këij vendi, do forcohen pikërisht me forcimin e shtetit, prandaj ja vlen të votohet për forcimin e shtetit që kërkon Edi Rama, për të patur mundësi për tu përballur me të vecanërisht në betejat e pashmangshme për mbrojtjen e mjedisit, sipas parimeve e ligjeve të vetë Shtetit.