Nesër 10 Mars 2019 është projektuar të vendoset fituesi i koncesionit për TEC të Vlorës dhe të garantohet humbja e perespektivës së qytetit turistik.

Ministrja Balluku duhet të tërhiqet menjëherë nga vendimi për të shpallur fitues për TEC të Vlorës, ndryshe ajo dhe qeveria Rama duhet të presin një përballje të fortë me popullin e Vlorës.

Nuk është aspak një problem teknik mosfunksionimi i TECit të Vlorës. Ky TEC është në vendin e gabuar. Këtë e ka pasur të qartë populli i Vlorës, që ka protestuar të paktën 3 vjet kundër ndërtimit të tij, me sloganin “Vlora turistike, jo energjitike”. Vendndodhjen e gabuar e pranoi dhe vetë Paneli i Inspektimit të Bankës Botrore në vitin 2009.

Në raportin e Bashkimit Europian të vitit 2005 thuhet se TECi i Vlorës nuk ka leverdi ekonomike.

Pak muaj më parë Banka Botrore raportoi për korrupsion të pastër me vendimmarrjen për ndërtimin e TECit të Vlorës. Për këtë, Qeveria edhe opozita, që është autore e vendimmarrjes finale të veprës famëkeqe, që ka bllokuar një nga plazhet më tërheqëse në Adriatik, kanë mbajtur një heshtje të plotë për këtë korrupsion të publikuar.

Një koncesion i miratuar tani për TEC të Vlorës, duket se ka vetëm një qëllim, të fsheh korrupsionin e bërë me të. Kështu gjëja e parë që duhet bërë në këtë situatë është të bëhet “vetingu” i vendimmarrjes së 130 milion dollarve të taksapaguesve shqiptarë, të shkuara dëm.

Pasi të bëhet “vetingu” i TECit është e domosdoshme të bëhet studimi i ri i fizibilitetit, se ka ndryshime kolosale krahasuar me 17 vite më parë, dhe të bëhet vlerësimi i thelluar i ndikimit në mjedis. Nga studimi dhe diskutimi me vlonjatet duhet të shpjegohet se si dhe sa parashikohet që Shqiptarët të përfitojnë pas 20 vitesh dhe sa humbasin para vitit të 20të? Qeveria do duhet të bindë vlonjatët se ndërtimi edhe i 2 TECeve të tjerë të parashikuar, por që qëllimisht nuk përmenden, , do ta bënte Vlorën më turistike?

Ndonje kompani qe e merr persiper tani për ta vënën në funksionim TECin për 20 vite edhe mund të ketë leverdi, duke pasur parasysh që taksën e karbonit dhe “taksën” e ndotjes e paguajnë shqiptarët dhe sidomos vlonjatët.

Kanë kaluar 15 vite dhe Vlora e ka të qartë perespektivën e saj. Nuk ka koncesionar që i prish të ardhmen Vlorës dhe vlonjatëve.

Për më shumë shih:

https://mjedisi.al/teci-i-vlor%C3%ABs-monumenti-m%C3%AB-madh%C3%ABshtor-i-korrupsionit-eee227c1ab61