15 Qershor 2018

Nuk kishte kufizim për të hyrë në kullën më të lartë të Tiranës, në një takim për të neutralizuar reaksionin qytetar kundër projekteve të kullave të shumta për tu ndërtuar në Tiranë. Kushdo mund të hynte. Nuk mund të thuash që takimi me publikun i organizuar nga z. Erjon Veliaj për cështjen e teatrit ( në fakt shqetësimi është për kullat) nuk ta jepte mundësinë për të marrë pjesë në të. Salla ishte mbushur plot, para orës së lajmëruar të fillimit.

Dukej që shumë pjesmarësve u ishte kërkuar të ishin në atë takim, pasi ishin punonjës të shtetit, ndoshta për të garantuar një lloj neutraliteti në sallën me mbi 200 pjesmarës.

Kryebashkiaku i Tiranës që e moderoi vetë takimin bëri thirrje për tu ulur për të bërë dialog me një përfaqësi, por duke renditur gjatë fjalës së tij një sërë argumentash të shoqëruar me figuracione denigruese të godinës në mbështetje të shkatërrimit të Teatrit Kombëtar dhe teatrit ekperimetal “Kujtim Spahivogli” dhe ngritjes së një teatri të ri. Folën më pas për më shumë se 2 orë aktorë e regjizorë në këtë takim. Shumë ishin të rikonsruktohet Teatri Kombëtar, disa ishin të ndërtohet i ri. E parë me kujdes, thelbësore në këtë takim ishte cëshja e kullave pranë teatrit se sa vetë teatri, edhe pse teatri ishte në epiqëndër.

Artistët herë pas here hidhnin ndonjë thumb për kullat. Edhe vetë Erjon Veliaj, që nuk ka lënë debat për kullat, pa kthyer vertikalisht objektin që ka pasur në tavolinë, për më shumë se 2 vjet, për ti mbushur mëndjen publikut të Tiranës se sa të nevojshme janë kullat, në këtë takim nuk e përmendi asnjëherë fjalën kullë në territorin e Teatrit Kombëtar. Artistët shprehur edhe me figuracione i rrëzuan kullat.

Ndjehej në ajër alergjia për kullat. U vu në pozicion qesharak z. Veliaj, kur vërtitej të tregonte varfërinë e shtetit për të ndërtuar godinë të re për Teatrin Kombëtar dhe gadishmërinë për ti falur pasurinë publike të pafalshme në mes të kryeqytetit një privati për të ndërtuar kulla, që nuk i duhen qytetit dhe i bëjnë dëm banorëve të qytetit.

Dhe artistët I thanë pak a shumë kryebashkiakut :

“Jo, mos fal territor për ne artistët e këtij shteti të varfër, nuk duam teatër të ri, të rikonstruktojmë këtë që kemi, kur të bëhemi shtet më i pasur shohim e bëjmë, edhe pse miliona për rrugë të pandërtuara janë harxhuar pa hesap në këtë shtet të varfër”.

Nga ana tjetër të gjithë banorët e kryeqytetit po të pyeteshin nga Bashkia nëse këtë pronë të Bashkisë (madje edhe nëqoftëse private, por prej gati një shekulli pronë publike) i doni të ndërtohen kulla apo lulishte, sigurisht përgjigja e qytetarëve do të ishte në favor të lulishteve.

Ky kryeqytet, me dëndësinë më të madhe të popullsisë për km2 dhe me sipërfaqen e gjelbër më të vogël për frymë të popullsisë në Europë shpëtohet nga bërja qytet i pa banueshëm pikërisht nëpërmjet alternativës “0 ndërtime në Tiranë”, pasi masivi i betonit derdhur në këtë qytet është i përbindshëm.

Kjo ka qënë alternativa e rekomanduar para ardhjes në pushtet në vitin 2013 të qeverisë Rama, rekomanduar prej këshilltarëve të afërt të tij, Shkreli dhe Lame. Z. Veliaj pohoi disa orë më para këtij takimi publik, të iniciuar prej tij, në një emission televiziv, se në qytetin e Tiranës, që ai drejton temperatura është 3 gradë më e lartë, gjë që ëshë alarmante në kushtet e ngrohjes globale. Atëhere pyetja e thjeshë është se a e ulin këtë temperaturë kullat e projektuara në Tiranë, apo e rrisin?

Fatmirësisht duket që është rritur edhe temperatura ndër qytetarët e Tiranës, të vetmit që mund të mos e lejojnë rritjen e mëtejshme të temperaturës së Tiranës. Pritet një viralitet për të shpëtuar Tiranën. Ka filluar. E filluan artistët.