Pse vendosin njerëzit të jetojnë në qytet, në vend të fshatit ose qyetazve të vogla?

Arsyeja kryesore është infrastruktura dhe organizimi gati i përkryer i përfituar nga shkalla e masës.

Kur një grup i madh njerëzish mblidhen në një vend të vetëm, shpërndarja e shërbimeve dhe produkteve të përditshme të nevojshme për një jetesë të mirë, bëhet shumë më e thjeshtë dhe më efektive.

Dyqane, institucione, rrjetizimi social apo ekonomik, spitale, qëndra rekreative dhe shumë të tjera.

Infrastruktura e qytetit është e padiskutueshme, por teksa teknologjia po zhvillohet gjithmonë e më shumë, ky efikasitet po bëhet gjithmonë e më i disponueshëm edhe për zonat rurale.

Dixhitalizimi i shumë shërbimeve, po eliminon gjithmonë e më shumë nevojën për tu përplasur në instuticione shtetërore.

Puna online, po eliminon pak nga pak nevojën për një zyrë fizike.

Rrjetet sociale dhe mijëra format e ndryshme të komunikimit online, po reduktojne gjithmonë e më shumë nevojën për komunikim fizik.

Teknologjitë e reja të shpërndarjes dhe transportit, po zvogëlojnë nevojën për të bërë pazar në qytete apo qëndra tregtare të mëdha.

Zhvillimi i formave të argëtimit dixhital, po redukton nevojën për forma argëtimi masive si kinemaja etj.

Kur shohim nga afër, kurba e dobishmërisë së jetesës në metropole dhe qytete të mëdha, po zbret gjithmonë e më shumë, duke krijuar kështu një hapsirë të re për të ri-konsideruar jetesën në zona rurale.

Është fakt që mirqënia e njeriut varet ndjeshëm nga natyra, por aksesi në hapsira me kontakt të mjaftueshëm mjedisor është tepër i vogël në qytet.

Njerëzit kanë nevojë të rikthejnë kontaktin me natyrën dhe jetën dhe kjo është e mundur po ashtu duke ri-fituar kontaktin me këto zona rurale.

Teksa përfitimet e jetesës në qytet, bëhen gjithmonë e më të disponueshme për zonën rurale, edhe ideja e të jetuarit në qytet vlen në fakt për tu ri-konsideruar.