Diçka e keqe po ndodh me dijeni të Qeverisë dhe me mosdije totale të banorve të kryeqytetit. Sot Ministri i infrastrukturës dhe Energjisë, z. Gjiknuri tha se Bashkia Kamëz duhet ti sjelli plehrat në Sharrë të Tiranës.

Z. Edi Rama tha disa ditë më parë se landfill i Bashkisë Durrës duhet të mbyllet dhe plehrat e Durrësit do shkojnë të përpunohen në Tiranë.

Me shumë të ngjarë jo larg do thuhet që plehrat e Italisë do vinë në Tiranë, pasi ndryshe Bashkia e Tiranës duhet të paguaj 29 euro për cdo ton plehra të mossjella në impiantin e djegjes, që konçesionari kërkon, sipas kontratës të firmosur nga Qeveria.

Këtu duket paradoksi i madh; nga njëra anë koha e sotme, por edhe ligji kërkon paksim të mbetjeve, kurse nga ana tjetër duhet të sigurohen më shumë mbetje për incineratorin, pasi ndryshe konçesionari të penalizon po solle më pak mbetje. Paradoks është për qytetarin e pa informuar, por skenar i mirëmenduar nga autorët që e kanë propozuar dhe autorizuar.

Çfarë po ndodh aktualisht në vendgrumbullimin e mbetjeve në Sharrë, aty ku ka filluar të ndërtohet fshehurazi impianti i djegjes së plehrave? Nuk ka inagurim të punimeve për këtë investim prej 128 milion euro.

Nuk ka pasur inagurim as për incineratorin e Fierit, ku po punohet me tërbim, për të ngrënë sa më shpejt milionat e marra nga buxheti i shtetit e për të marrë të tjera. Për më tepër dhe që është më shqetësuese nuk ka as informacion.

Kompania EcoTirana që ka në menaxhim mbetjet e qytetit të Tiranës nuk jep asnjë informacion.

Ajo nuk ka asnjë shifër të vetme në website të vehtin. Sa ton mbetje në ditë shkojnë në landfillin e Sharës? Sa ton mbetje në ditë shkojnë për riciklim? Ku shkojnë mbetjet për riciklim? Cilat janë lidhjet midis EcoTirana dhe kompanisë koncesionare të incineratorit?

Këto janë pyetjet që ju bënë përfaqësueses së kompanisë EcoTirana në presantimin e saj, në konferencën e dy ditëve më parë, organizuar nga Qendra Shqiptare për Riciklimin e Mbetjeve.

Nuk dha asnjë përgjigje. Heshtje e frikëshme. Asnjë shifër lidhur me këto të dhëna bazike nuk tha edhe përfaqësuesja e Bashkisë së Tiranës, që gjithashtu mbajti një fjalë në konferencë.

Çfarë po ndodh? Bashkitë prodhojnë më pak mbetje se ç ‘raportohet. Psh në Fier konçesionari ka projektuar 1.3 kg/banor në bashkinë e Fierit, ndërkohë kur prodhimi real është sa gjysma dhe me pak.

Kjo bëhet për të justifikuar kapacitetin e madh të incineratorëve. Psh icineratori i Tiranës ka kapacitet 900 ton në ditë, ndërkohë kur Tirana zyrtarisht prodhon 700 ton në ditë, por për shkak se nuk ka pasur matje, por vlerësime, fakti duhet të jetë shumë më i vogël.

Një faktor tjetët është se teknologjia e incenerimit kërkon garantimin e një minimum të fuqisë kalorifike, që duket që Shqipëria, ku dominojnë mbetjet e njoma nuk e siguron këtë. Nga ana tjetër masat e detyrueshme për ndalimin e qeseve plastike dhe politikës Europiane të paksimit të mbetjeve e bëjnë incineratorin të pavlefshëm.

Rezistenca e Bashkisë së Kamzës për ti çuar mbetjet në Sharrë ka edhe aspektin ekonomik, koston disa herë më të lartë që ka menaxhimi i 1 ton mbetje në incinerator + kosto e transportit. Dhe Bashkia Durrës me shumë të ngjarë do refuzoj ose do kërkoj rrugë të tjera. Bashkitë e Italisë do ta mirëprisnin eksportimin e mbetjeve në Shqipëri sidomos tani që Kina i ka thënë ndal Europës për eksport të shumë lloj mbetjesh.

Kjo nuk do të ndodhë menjëherë. Do pritet një moment kur konçesionari do thotë: “më jepni Eurot ose më sillni plehra nga importi” Sot qytetarët e Tiranës duhet të reagojnë, që të mos ndotet edhe më Tirana, nëpërmjet ndotjes së shtuar, mjaft të rrezikshme prej incineratorit të Tiranës, si rrjedhoj e papërgjegjshmërië së qeverisjes së sotme.