Gjykata Administrative ka nisur shqyrtimin e kërkesës së banorëve të fshatit Dragobi për pezullimin e punimeve për ndërtimin e dy hidrocentraleve në Valbonë.

Në padi, 27 banorë të fshatrave përreth kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të punimeve për ndërtimin e Hidrocentraleve. Nga pala e paditur u paraqit vetëm Ministria e Energjisë dhe Këshilli Kombëtar i Territorit, ndërkohë që munguan disa dikastere të tjera të përfshira në padi.

Në hapje të seancës ra në sy mbështetja publike që ju dha banorëve të zonës nga ana e ambasadës Gjermane, që e ka ndjekur që nga fillimi këtë përplasje. Zëvendës Ambasadorja Anke Holstein tha se zona ofron vlera natyrore dhe një peizazh unik, i cili duhet të shfrytëzohet për turizëm e rritjen ekonomike të popullsisë përreth. Nga ana e tyre banorët thanë se puna për ndërtimin e Hec-eve ka vazhduar me ritme të shpejta.

Sipas tyre, shpërthimet e dinamitit tronditin çdo natë shtëpitë, ndërkohë që shtrati i lumit është tharë. Më 2 qershor, Gjykata Administrative vendosi rrëzimin e kërkesës së banorëve për pezullimin e punimeve për ta nënshtruar çështjen një gjykimi të mirëfilltë.

Scan TV