Fadroma ne Parkun Kombetar Lure-Mali Dej, Maj 2020

Gjykatat janë të mbyllura prej pandemisë. Banorët e Zall Gjocaj presin nga gjykata masën e sigurisë për ndalimin e punimeve të HEC Seka në parkun Kombëtar Lurë- Mali Dejës. Kompania Seka Hydropoëer i është futur lumit me fadroma, duke shkatërruar një nga ekosistemet më me vlerë të vendit, madje edhe duke ndotur ujin e pishëm të lumit, që përdoret nga banorët për tu pirë.

Ndërsa njerëzit mbahen të izoluar ndërtuesit e HECeve, kudo nëpër Shqipëri janë vërsulur si bisha duke shqyer malet për të vjedhur ujin. Të tjerë bredhin për të marrë firma për të vjedhur ujin e cdo përroi në këtë vend.

Shoqëria koncesionare turke AYEN — ALB sh.a., ka kërkuar në kulmin e isolimit, në 2 Prill, nëpërmjet platformës e-albania, duke i kërkuar Agjensisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) të shprehet për Vlerësimin e Thelluar të Ndikimit Mjedisor e Social për HEC Kalivac. A do të guxoj kjo agjensi të firmos në këtë situatë të fatkeqësisë natyrore, konfirmuar me vendim qeverie deri me 23 Qershor, pa u konsultuar me publikun, i cili nuk mund të mblidhet tani për ta thënë fjalën e tij, pikërisht për shkak të këtij vendimi qeverie ?.

Publiku në rastin e HEC mbi Vjosë, ka një dimension shumë të gjërë, ndryshe nga shoqëria turke që me mbështetjen e disa të paguarve shqiptarë në mënyrë të jashtligjshme e cinike quan publik vetëm disa banorë të fshatit Kalivac. Publiku për HEC Kalivac është, si rrallë herë, nga një komunitet shkenctarësh nga e gjithë Bota , nga shumë grupime ndërkombtare, që e konsiderojnë lumin Vjosa si pasuri europiane e mbi të gjitha gjërësisht nga publiku mbarë shqiptar.

Shqetësimi i publikut është i madh, vecanërisht për HEC Kalivac në Vjosë, pasi në këtë koncesion është aktor Fusha sh.p.k, i cili u be i famshëm me ligjin famkeq Fusha për Teatrin Kombëtar.