Shijak: A mund të ndërtohen incineratorët pranë banesave të fundit?!

Shijak: A mund të ndërtohen incineratorët pranë banesave të fundit?!

Ndërtimi i një inceneratori për grumbullimin dhe djegien e mbetjeve dhe kafshëve në periferi të Shijakut, ka ngritur në protestë banorët e zonës, të mërkurën në datën 6 shtator 2017. Qytetarët janë banorë të lagjes “Brigada e 10 sulmuese” të cilët janë përplasur edhe fizikisht me përfaqësues të firmës private “ JAMARBER GROUP “ sh.p.k. Më të drejtë banorët kanë reaguar pasi janë të shqëtësuar për shëndetin e familjeve të tyre, por edhe për vetë faktin se zëri i tyre vazhdon të mos dëgjohet.

Sipas vëzhgimeve të bëra nga Bashkia Shijak dhe Milieukontakt në zonën ku edhe do të funksiononte incineratori për djegien e mbetjeve siptalore, klinikave dentare apo edhe mbetjet e kafshëve kishte filluar puna për grumbullimin e materialeve para dëgjesës publike. Pra dëgjesat publike, takimet me komunitetin realizohen si farsë dhe pa njoftim të nevojshëm dhe për një kohë të gjatë nga ana e kompanisë. Me të drejtë banorët e zonës ishin të indinjuar, pasi si vendi dhe kushtet e punës ku do të ngrihet impianti janë jashtë standardeve të kërkuara për nisma dhe procese kaq shumë delikate. Shijaku vuan pasojat e mungesës së spitalit apo klinikave shëndetësore dhe banorët duhet të shkojnë në Durrës apo Tiranë për ndihmë mjekësore ndërkohë që duhet të pranojë dhe asgjësimin e mbetjeve të tilla të rrezikshme brenda në qytet.

Sipas shkresës së Agjensisë Kombëtare të Mjedisit, Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Durrës të datës 5 shtator 2017 njoftohen aktorët e interesuar që me datë 6 shtator 2017, “Jamarbër Group” sh.p.k me aktivitet “Incenerimin e mbetjeve, duke përfshirë dhe ato të kafshëve” ftoi komunitetin e zonës për dëgjesën publike. Subjekti “JAMARBER GROUP” regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit më datë 15–03–2017 me numer NIPTI L71515507M është pajisur me Deklaratë Mjedisore për të zhvilluar aktivitetin: “Trajtimi i mbetjeve spitalore”. Duke qënë se gjatë fazës së funksionimit, ky aktivitet ka pasur efekte në mjedis i është nënshtruar proçedurave për paisje me Leje Mjedisore. Subjekti është pajisur me Leje Mjedisi TIPI B për aktivitetin “Asgjësimi i mbetjeve të rrezikshme përveç incinererimit ose landfillit si dhe Liçensë të kategorisë III.2.B “Për grumbullim, transportim dhe asgjësim të mbetjeve spitalore. Pasi kryerjes së dy dëgjesave të para subjekti “JAMARBER GROUP” sh.p.k. aplikon përsëri për aktivitetin e tij, tashmë “Incenerim i mbetjeve duke përfshirë edhe mbetjet e kafshëve” më datë 17.08.2017, dhe subjekti kërkon një tjetër dëgjesë me publikun për VNMTH dhe Leje A, B në datën 05.09.2017.

Që në përcaktimin e llojit të aktivitetit fillon problemi, pasi kur thuhet “incenerimin e mbetjeve”, nuk përcaktohet qartë se çfarë lloj mbetjesh, sasinë apo dhe origjinën e këtyre mbetjeve, nevojën për pasjen e një aktiviteti të tillë, ndikimin në mjedis, masat rehabilituese në rastet e ndotjes dhe dëmtimit të mjedisit si dhe kostove të tyre sipas veprimtarisë. Specialistët e fushës e dinë fare mirë që për trajtimin me djegie të mbetjeve, të çdo lloj kategorie mbetjesh kërkon procese të veçanta për përpunimin e tyre, teknologji të certifikuar dhe njohur nga institucionet përkatëse. Në rastin në fjalë kompania kryen aktivitetin pranë zonave të banuara dhe aq me tepër pranë varrezave të qytetit ka vetëm një autoklavë Model Irop e cila në fillim të aktivitetit thjesht ka bërë asgjësimin me metodën e trajtimit me presion me avull, por tanimë ky aktivitet shkon edhe më tej, duke marrë përsipër të bëjë incenerimin e mbetjeve dhe kafshëve.

Duhet të ndodhte protesta në Shijak ajo që na tregon se çështjen e aktivitetit në fjalë duhet ta shohim edhe përtej dëmit shëndetësor dhe mjedisor. Ambjentet ku kompania kryen aktivitetin e saj të icenerimit të gjithëfarë lloj mbetjesh është ngjitur më murin pranë varrezave. Në vendimin 712, datë 29.10.2017 për miratimin e rregullores teknike “Projektimi dhe ndërtimi i varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë” thuhet shumë qartë në kapitullin 1: “Territori i varrezave duhet të kufizohet nga zonat e banuara dhe në afërsi të tyre nuk lejohet të kryhet asnjë aktivitet shërbimi i ri, apo të zgjerohet aktiviteti përveç atyre që kanë lidhje dhe janë në funksion të varrezave”. Në rastin në fjalë varrezat ndahen vetëm nga një mur nga ambjenti ku kryhet icenerimi i mbetjeve. Lakmia e të fituarit me çdo kusht: gjithandej dhe në çdo kohë shkon deri aty sa edhe banesat e fundit të njerëzve të mos i lemë rehat.

Bujana Xhindoli, Milieukontakt Shqipëri me 07 September 2017.