Sheshi Skënderbej kishte sot të mbledhur rreth 400 burra nga zona e Topojanit të Kukësit që me vendosmëri ju drejtuan Kryeministrisë për një hall jetësor të tyre, për të kundërshtuar një leje qeveritare dhënë 1 muaj më parë, për të devijuar lumin në dobi të një koncesionari për ndërtim HECi.

Reagimi i tyre paralajmëronte vendimin e një komuniteti për të zmbrapsur edhe fizikisht cdo tentative për të ndërtuar HECin e miratuar së fundmi nga qeveria në këtë zonë. HECet e ndërtuar dhe të bërë funksional në 2 -3 vitet e fundit në zonë i kanë dhënë rezultatet e tyre dërmuese për këto komunitete që jetojnë pazgjidhmërisht me burimet jetësore të luginës së lumit. Lugina në konceptin natyror nuk egziston më, qëkurse uji është futur në tuba për prodhim energjie. Parcelat e vogla, burimi kryesor i mbijetesës nuk mund të marrin më ujë. Edhe zhdukja e gurgullimës melodioze të lumit e ka trishtuar jetën e banorëve.

Kjo skenë mjerimi social dhe pejsazhi natyror tërësisht të deformuar po ravijëzohet kudo në vend; nga Lengarica në Vjosë, në Rapun në Shkumbin, në Parkun Kombëtar Shebenik Jabllanicë e kudo deri në Korab, Parkun Kombëtar të Valbonës, apo të Thethit në Alpet Shqiptare. Kudo në këto vende ka pasur protesta të komuniteteve lokale, ka pasur dhunë policore, arrestime të banorëve. Kudo është vërrejtur thyerje ligji prej vetë shtetit, kudo janë vënë re fakte e dyshime të forta korrupsioni por më pak të dukshme, si rrjedhoj e veprimtarisë së pisët në zonat më të largëta të vendit, ku koncesionarë e qeveritarë kanë menduar e mendojnë se janë më pak ose aspak të vëzhguar. Për sa kohë qeveria ja ka dalë ti thyej protestat e vogla lokale, për sa kohë qytetaria e këtij vendi nuk ja ka dalë ti kthej këto protesta në shqetësim, qeveria i ka dhënë të drejtën vehtes të vazhdoj të gaboj rëndë në planin e politikave të zhvillimit të vendit dhe ti japi krahë korrupsionit.

Gabimet e mëdha

Ishte dhe është edhe më groteske Shqipëria superfuqi energjitike, sic u propagandua në 2009. Faktikisht janë ndërtuar mbi 100 HECe të vegjël këto vite dhe impakti i tyre pozitiv në ekonominë e vendit është inegzistent. Edhe 500 HECe të vegjël të ndërtohen nuk mund të shpresohet për rezultante positive në zhvillim të vendit. E kundërta pritet të ndodhë. Dukshëm rezultanja ka filluar të cfaqet në kahun negativ.

E pashpjegueshme se si Qeveria aktuale vazhdon akoma të thelloj gabimet, duke marrë e konfirmuar vendime për ndërtim HECsh madje edhe në zona të mbrojtura, për të cilat ligji i ri ndalon nominalisht ndërtimin e HECit. Në një anë qeveria bërtet se kollonat kryesore të zhvillimit të vendit janë turizmi e bujqësia dhe nga ana tjetër në heshtje jep leje HECesh që pikërisht dëmtojnë këto 2 kollona të zhvillit të vendit.

Nëse qeveria do të kishte vullnetin për të bërë një analizë të kësaj që po ndodh me këto HECe, duke llogaritur së paku anën monetare të dëmëve që sjell në ekonomi , qoftë edhe vetëm të banorëve të komuniteteve që afektohen negativisht prej grabitjes së ujit prej këtyre HECeve, duke shkatërruar ekonomitë e vogla bujqësore, bizneset e tjera të vogla të lidhura me bujqësinë dhe atraksionin rural e duke krahasuar ato me të ardhura prej taksave ndaj koncesioneve të këyre HECeve humbja neto e ekonomise kombëtare do të ishte tepër evidente.

Problemi i madh është se qeveria llogarit vetëm taksën që do vjeli, që në fakt është grabitje e pasurisë së banorëve të këtyre zonave.

Në një studim serioz të Komisionit Europian lidhur me HECet në Ballkanin Perëndimor, që do ti paraqitet qeverive të këtyre vendeve në këtë pranverë ndërtimi i HECeve të vegjël dekurajohet dukshëm, si pa leverdi ekonomike edhe me probleme të mëdha sociale e mjedisore. Në këtë studim thuhet se në Ballkanin Perëndimor 90% e numurit të HECeve janë HECe të vegjël dhe prodhojnë vetëm 3% të energjisë. Në kushtet e Shqipërisë thekson studimi të gjithë HECet e vegjël janë pa leverdi (underperforming) dhe si të tillë të pa finacueshëm nga Bankat Europiane.

Një gjë është e sigurtë në Shqipëri. Protestat e vogla për HECet e vegjël do bëhen të mëdha. Konfliktet midis koncesionarëve e komuniteteve janë të pashmangshme e në rritje. Qeveria sot nuk mund të jusifikohet e të thotë: “Nuk e dinim se ishte një gabim” as nuk mund të thotë “Është gabim, por e ka bërë gabim qeveria e mëparshme”.

4 Mars 2018