Ditën e djeshme, më 24 tetor është hapur edicioni i pestë i Festivalit të Filmit Mjedisor të Shqipërisë (EFFA 2017). Në një ceremoni të organizuar në Sheshin e Pazarit të Ri në Tiranë, ishte i pranishëm edhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, z. Blendi Klosi i cili përshëndeti organizatorët, pjesëmarrësit dhe mbështetësit e këtij festivali që tashmë po kthehet në traditë. Në fjalën e tij Ministri Klosi e vuri theksin në dy aspekte mjaft të rëndësishme të politikës mjedisore; ashpërsimi i ligjit për këdo që kryen një krim mjedisor dhe edukimi masiv i të rinjve për të përgatitur një shoqëri që të mbajë të pastër Shqipërinë.

Duke folur për ndotjen mjedisore, ministri Klosi u shpreh se janë duke u ashpërsuar masat penale për ata që kryejnë krim mjedisor dhe që të kuptojnë që si për çdo krim tjetër janë nën presionin e shoqërisë dhe nën gjykimin e ligjit. “Ai që ndot mjedisin ndot pasurinë tonë të përbashkët, bën një krim mjedisor dhe ai duhet të dënohet”- tha ministri i Turizmit dhe i Mjedisit.

Ky edicion i Festivalit të Filmit Mjedisor të Shqipërisë do të mbahet në datat 24–28 tetor 2017 dhe ka për qëllim ndërgjegjësimin e komunitetit ndaj mjedisit. Këtë vit marrin pjesë artistë nga Shqipëria dhe 30 vende të tjera të botës me 58 filma mjedisorë të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë.

Filmat do të projektohen në 14 vende të ndryshme duke shtrirë projeksionet e tyre në zona të mbrojtura si: Parqet Kombëtare të Shebenikut, Llogarasë dhe Divjakës në qytetet Përmet, Korçë, Durrës dhe Peshkopi si edhe në Qendrat e BE-së në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë.

Krahas projeksioneve të filmave gjatë ditëve të festivalit do të organizohen edhe diskutime mbi filmat në universitete shqiptare si dhe do të mbahet Forumi: “EFFA dhe kuadri mjedisor në Shqipëri”.

Në fund të festivalit do të vlerësohen sipas kategorive edhe fituesit e këtij edicioni.

Botuar nga REC Shqipëri me 25 October 2017.