lumi i kthyer ne liqen prej HECit Kasollet e Selces


Yllson është një nga doktorët më të mirë ortoped në vend. I dashuruar pas vendit të vet. Ka pasur mundësi të shkëlqyera për tu bërë një kirurg kudo në një vend tjetër të zhvilluar.

Jo. Ai, vec punës së humanistit si mjek, ka investuar për të zhvilluar një pronë të të parëve të tij në vendin e origjinës së tij të lindjes në malësinë e Gorës, duke blerë ose riblerë atë prej disa banorëve qw ishin larguar dhe duke e vitalizuar atë , jo duke hedhur beton në të, sic quhet rëndom, sot, zhvillimi në terminologjinë e politikanëve dhe bizneseve të ndërtimit, por duke mbjellë qershi brenda parcelës permakulturiste plot pemë të larta për reth , duke ndërtuar një shtëpizë me mjete rrethanore, duke ndërtuar vaska për troftën me ujin e kulluar të përroit të Selcës. Në këtë vend të rigjallëruar doktori mendon ti japi fshatit profilin e një fshati turistik, duke kthyer shtëpizën në bujtinë dhe ku ai si mjek të ketë mundësi që 2–3 ditë në javë jo vetëm të ndjej kënaqësinë në qwndrimin pranë natyrës së zbukuruar me duart e veta, por ti shërbej edhe komunitetit si mjek. Kështu me iniciativa të tilla, si kjo e doktror Yllsonit, nga 100 fshatra mund të bëhen 1000 fshatra turistik në Shqipëri.

Tek sa qershitë filluan të lulëzojnë vjen gangsteri dhe hedh aty qindra m3 beton dhe i vë emrin “Kasollet e Selcës” Këto kasolle të gangsterit nuk janë aty për të mbrojtur jetë, por për të marrë jetë. Marrin jetë, se marrin lëngun e jetës, ujin. Ato përthithin lumin për kilometra të tëra, si të jetë vetë kucedra, duke ngordhur troftën dhe cdo gjallesë tjetër, duke tharë arat e misrit përgjatë rrjedhjes së lumit të munguar (kupto të vjedhur). Por përpara se të zhdukin lumin “Kasollet” bëjnë një masakër atje ku i kanë bërë pritë lumit, duke mbytur edhe aty cdo gjë të gjallë, edhe qershitë e porsacelura. Interesante, në fakt e tmershme, është se për të mbjellur qershitë është kujdesur dhe ka harxhuar para edhe shteti, nëpërmjet të strukturës së quajtur AZHBR. Dhe meqënëse jemi tek shteti, pyetja është; mirë që shteti ynë nuk pyet për gjallesat që zhduken e komunitetet që varfërohen, pasi u merret pasuria kryesore uji, por kur vidhet e poshtërohet vetë shteti pse ai nuk reagon? Eshtë vetë shteti që ka bërë kontratën me gangsterin, do thotë dikush. Por kur gangsteri ka shkelur kontratën si i bëhet?

Doktori, që beson tek shteti, i ka argumentuar shtetit ligjërisht, shkencërisht dhe për më tepër faktikisht, se gangsteri e ka shkelur kontratën. Shteti, të paktën pjesët e shtetit që e kanë në kopetencë këtë lloj kasolleje e kanë pranuar se është shkelur kontrata. Dhe për qartësi për publikun, një nga shkeljet e pranuara është se ndërtimi i HECit është bërë në vend tjetër, në kordinata të tjera, të ndryshme nga projekti, qe kanë shkaktuar dhe përmbytjen që ka përmbytur dhe qershitë.

A vlen këtu shprehja “Qeveria e kap lepurin me qere”, ndërsa gangsteri është në Kasollet e Selcës, në qejf të vet.?