Ditët e fundit për ta ndalur ndërtimin e hidrocentralit në Valbonë

Ditët e fundit për ta ndalur ndërtimin e hidrocentralit në Valbonë

Koha e fundit për ta shpëtuar Parkun Kombëtar në Shqipëri.

Që nga marsi i vitit 2017, parku kombëtar “Lugina e Valbonës” po dridhet nga shpërthimet, ditë e natë. Ndërsa ndërtimet për projektin e Hidrocentralit të Dragobisë, në rrjedhën e lumit Cerem, nuk po ndalen. Deri më tani, mungesa e qasjes në këtë vend ka bërë që askush të mos e kuptojë saktësisht se sa i madhë është dëmi.

Në prill, megjithatë, ka filluar ndërtimi i i impiantit të dytë, që përfshin plane për futjen e 3 kilometrave të pjesës më të bukur e më të paprekur lumit Valbonë në tunel. Ky ndërtim deri më tani përfshiu rrafshimin me bulldozer të krejt bregut verior të lumit dhe kjo pjesë shumë vështirë mund të fshehet. Prandaj, tani është e qartë se nëse kjo punë vazhdon pa u kontrolluar veç edhe për një muaj, ‘zonës së mbrojtur’ do t’i shkaktohen dëmet e pariparueshme.

Parku kombëtar “Lugina e Valbonës” nuk është vetëm njëra prej zonave me biodiversitetin më të madh në krejt Europën Juglindore, por ajo ka edhe rëndësi të posaçme kulturore për shqiptarët, duke qenë burim i shumë (në mos krejt) legjendave dhe poezive. Ky park gjithashtu është burimi kryesor ekonomik për krejt Shqipërinë Verilindore përmes turizmit të qëndrueshëm dhe është një prej tri top destinacioneve turistike në Shqipëri. Në vitin 2017, Lugina e Valbonës u shpall si njëri prej “nëntë vendeve më të mira në botë për t’u kënaqur në ambient të jashtëm” nga National Geographic. E, kjo shumë shpejt mund të shëndrrohet në histori.

Më 21 prill, para Ditës Botërore të Tokës, ekipi i Balkan Rivers Tour 2 — projekt i Kolektivit slloven Leeway — postoi një vdieo-apel në Facebook për t’i ndalur ndërtimet në parkun kombëtar “Lugina e Valbonës”. Brenda 24 orëve, kjo video u përcoll për më shumë se 27,000 herë, dhe ajo po vazhdon të shkëmbehet në gjithë botën.

Ajo ka një porosi unifikuese: Indiferenca e qeverisë shqiptare ndaj shkatërrimit të vazhdueshëm të parkut kombëtar “Lugina e Valbonës”, është e papranueshme.

Shkelja e marrëveshjeve kombëtare dhe ndërkombëtare

Në janar të vitit 2016, banorët e Luginës së Valbonës i morën vesh planet për fillimin e ndërtimeve për dy impiante të hidrocentralit 27-megavatësh “kaskadues, pa grumbullim uji” (që njihen edhe si projekte energjetike të Dragobisë), në zemër të parkut kombëtar. Hulumtimet e mëtejme të banorëve kanë zbuluar se këto dy impiante ishin në mesin e 12 impianteve të tjera “të vogla” për të cilat ishte dhënë koncesioni.

Këto do t’i prekin 20 kilometra, prej 30 kilometrave të lumit. Tetë janë krejtësisht brenda parkut kombëtar, që ka mbajtur nivelin 2 të zonës së mbrojtur të Unionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës (IUCN) që nga viti 1996, pjesë e Konventës së Rrjetit Emerald të Bernit, si dhe vend i planifikuar Natura.

Qeveria nuk ka arritur të organizojë dëgjim të detyrueshëm publik. Prandaj, banorët lokalë të udhëhequr nga OJQ-ja “TOKA” (Organizata për Mbrojtjen e Alpeve Shqiptare), kishin vetëm disa muaj për ta nisur një fushatë të pashpresë për të bërë ankesa administrative, për të tërhequr vëmendjen e mediave vendore dhe ndërkombëtare, për të gjetur informacione (përkundër refuzimit të qeverisë për të zbuluar plane dhe dokumente kyçe) dhe për të ndërtuar një rrjet të mbështetjes vendore dhe ndërkombëtare. Në nëntor të vitit 2016, më në fund siguruan përfaqësim nga njëra prej firmave më të shquara ligjore të Shqipërisë.

Pasi projektet po zhvillohen pa leje valide mjedisore, ka bazë të shkëlqyeshme për ta ndalur menjëherë lejen.

Për fat të keq, në të njëjtën kohë, në shtator të vitit 2016 u dha leja për ndërtimin e dy projekteve energjetike të Dragobisë, dhe ndërtimi filloi më 28 shtator 2016, ndërsa data e planifikuar e përfundimit ishte 2018.

Shqyrtimi i vlerësimit të ndikimit mjedisor i projektit zbulon një dokument të nënstandardit shumë të lartë, mbi të cilin “Integra Study” me porosi të “World Wildlife Fund” në nëntor të vitit 2016 zbuloi se “nuk mund të bazohet asnjë vendim i besueshëm”. Projektet gjithashtu kanë shpërfillur Konventën e Aarhausit, Espoo-në dhe Konventën e Bernit — ku Shqipëria është nënshkruese.

Ende ka shpresë

TOKA është e gatshme të ngrisë padi kundër qeverisë në gjykatën administrative në javët në vazhdim dhe përfaqësuesit tanë ligjor besojnë se ka bazë të mirë për t’i suspenduar projektet për shkak të parregullsive serioze dhe të shumta në planifikimin dhe implementimin e projektit. Megjithatë, sipas ligjit në Shqipëri, puna mund të ndalet vetëm me diskrecion të gjykatës nëse ajo “gjen se dëmi i pariparueshëm mund të shkaktohet para se të gjendet zgjidhja ligjore”. Gjykata gjithashtu ka mundësi të kërkojë që të jepet një garanci shumë e madhe financiare nga ankuesi për të lëshuar urdhër për ndalim të punimeve.

Prandaj, pavarësisht se padia mund të ketë sukses, parku kombëtar ndërkohë mund të dëmtohet në mënyrë të pariparueshme.

Për fat të mirë, ekziston edhe një derë për t’i ndalur punët. Leja e ndërtimit, e lëshuar në shtator të vitit 2016, përfundon në maj të vitit 2017. Këshilli Kombëtar Territorial (KKT) dhe kryesuesi i tij, kryeministri Edi Rama, mund ta refuzojnë aplikacionin për zgjatjen e lejes së ndërtimit. Pasi projektet po zhvillohen pa leje valide mjedisore, ka bazë të shkëlqyeshme për ta ndalur menjëherë lejen.

Duke marrë parasysh se vitit 2017 është vit i zgjedhjeve në Shqipëri, ne besojmë se një vëmendje e menjëhershme dhe e përhapur e mediave, si në nivel lokal ashtu edhe në atë ndërkombëtar, duke vënë në pah dështimin e qeverisë së Shqipërisë për të vepruar me përgjegjësi, mund të ketë efekt të fuqishëm dhe të rezultojë me ndaljen e ndërtimit përpara një hetimi adekuat, duke e mbrojtur parkun kombëtar “Lugina e Valbonës”, për gjeneratat e ardhshme.

Më shumë informata për fushatën mund të gjenden në ueb faqen e TOKA-s, këtu.

Foto kryesore: Leeway Collective fotografia e marrë nga video e fushatës #MosMaPrekValbonen.