Grupimi “Të mbrojmë lumenjtë”

Nismëtar për moratoriumin ndaj HEC-eve në Shqipëri

5 Qershor 2020.

Sot në Ditën Botërore të Mjedisit grupimi “Të mbrojmë lumenjtë” përshëndet deklarimin publik prej kryeministrit Edi Rama bërë në paraqitjen e projektit të HEC Skavica, ku ndër të tjera tha: “Sigurisht që i jepet fund keqtrajtimit ekstrem të demtimit të rezervave të energjisë së pastër, si rezultat i një ecje në mënyre të improvizuar dhe copzimit shpesh herë shumë dëmtues i këtij potenciali me ato HEC-et e vogla që në shumë raste kanë funksionuar si shushunja që thithin pikërisht gjakun e organizmit të vendit, duke lënë shpesh herë toka të tëra pa burimin e nevojshëm ujor, duke lënë shpesh herë komunite të tëra me pamundesinë për të ujitur tokat, si rezultat i tharjes së burimit, duke bërë dëme të mëdha nga pikpamja e ekosistemit”.

Grupimi “Të mbrojmë lumenjtë” gjykon se është jo vetëm e pakuptimtë, por e papranueshme që Qeveria të vazhdojë të subvencionojë bizneset e HEC-eve të vegjël nëpërmjet çmimit preferencial të blerjes të energjisë, duke qënë se tashmë është i dukshëm efekti skandaloz i dëmit në ekosistemet lumore në mbarë vendin, si dhe dëmi i madh social -ekonomik sidomos i komuniteteve rurale që jetojnë në to. Dhe kjo ndodh në një kohë kur Shqipëria më së fundi po vë në eficencë potencialin e saj të madh të energjisë diellore, me leverdi dukshëm më të madhe jo vetëm në aspektin mjedisor, por edhe atë ekonomik.

Grupimi “Të mbrojmë lumenjtë” ka kërkuar publikisht qysh në vitin 2015 të vendoset moratorium për HEC-et e vegjël. Nëse kjo do të kishte ndodhur do ishte shmangur masakra mjedisore që është bërë në këto vite si rrjedhojë e bumit të konçesioneve të dhëna sidomos në prag fushatash elektorale dhe vazhdimit të shtimit të tyre në vijim deri në ditën e sotme, kur shumë komunitet të dëmtuara janë futur në konflikte sociale dhe proçese gjyqësore me ndërtuesit e HEC-eve.

Nëse qeveria ka vendosurzhvillimin në variantin më optimal të ndërtimit të HECit të Skavicës në kaskadën e Drinit, për ne si grupim ështëe papranushme të lejohet ndërtim HECesh në lumin Vjosa për shumë argumente mjedisore, social-ekonomike dhe mbi të gjitha shkencore.

Ne i kërkojmë Qeverisë të vendosë moratorium 5 vjeçar për lejet për HEC-et dhe gjatë kësajë kohe të rishikojë të gjithë kontratat egzistuese, për shkeljet e tyre ligjore, si dhe të rishikojë standartet ligjore të vendosura me ose pa qellim në dëm të mjedisit.