Aksioni “Të pastrojmë Shqipërinë që duam” këtë herë ka udhëtuar drejt Krujës.

Këtë të premte dhe të shtunë, hapësira nga Rruga e Rinasit dhe deri në Kalanë e Krujës u “pushtua” nga 3000 vullnetarë që pastruan terrenin nga mbeturinat. Rruga e Rinasit është përballja e parë që turistët e huaj, që vijnë me linja ajrore, kanë me vendin tonë. Nga ana tjetër Kalaja e Krujës është ndër më të vizituara në vend nga turistët dhe kësaj ngrehine gjigante nuk i shkon aspak fakti që është e rrethuar nga mbeturinat.

Me siguri, po të ishte Skënderbeu gjallë do të turpërohej nga kjo pamje.

Këto janë vetëm dy ditë intensive pastrimi, por nuk mjafton. Kërkohet një ndërgjegjësim më i madh nga ana e qytetarëve që të mos ndotin ambientin.

Operacioni i Pastrimit të Shqipërisë ka nisur në 24 nëntor dhe do të përfundojë në 24 maj të 2018. Në 6 muajt e punës në mbarë vendin, operacioni do të jetë i ndarë në disa faza dhe fasha të ndërhyrjes, duke nisur nga aksionet vullnetare në terren, deri tek kontrolli rigoroz i zbatimit të lejeve mjedisore nga subjektet apo sipërmarrjet e vogla dhe të mëdha.

Operacionin 6- mujor “Të pastrojmë Shqipërinë që duam” drejtohet nga ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi.

Marre nga gazeta Dita