Në fakt Veliaj po korr atë që ka mbjellë. Është në hall të madh. Qytetarët ankohen për ndotjen akustike, që vjen e shtohet, nga trafiku më i rënduar prej intesitetit të shtuar të ndërtimeve dhe rritjes së numurit të makinave krahas rritjes së popullsisë. Nga ana tjetër ankohen edhe ndërtuesit që duhet të hedhin beton në qytet 24 orë në ditë. Cfarë do bëj Erioni? Do zbusi cmendurinë e trafikut te mëngjesit që cmëndet më shumë prej bashkimit të trafikut të betonierve dhe kamionave të rëndë?  Do zbusi tmerrin e pagjumsisë prej betonizimeve gjatë natës, që po e vuajnë mijra banorë të Tiranës? Si kryetar bashkie, si politikan e ka të detyruar të bëj zbutje të zhurmave. E morri një vendim që së paku ata që rrinë pa gjumë gjatë natës prej betonizimit të stresohen më pak kur cojne fëmijët në shkollë në mëngjës, duke i ndërprerë qarkullimin përbindshave të betonit gjatë ditës. Por edhe këtë nuk e bën dot. Sapo policia filloi të ndaloj ndonje betoniere shoqata (oligarkia) e ndertuesve i dërgon një letër Ministrit te Brendshem, Kryetarit të Bashkisë, Kryeministrit, Drejtorit të Policisë së Shtetit, Drejtorit të Policisë së Tiranës dhe Drejtorit të Policisë Rrugore të Tiranës që ngjan me një ultimatum drejtuar atyre. “ …Kërkojmë nga institucionet kompetente lejimin e vazhdimësisë të punës tone normale, duke shmangur kështu, “abuzimet” e punonjësve të policisë ndaj firmave të betonit, në mënyrë të përditshme, në çdo rrugë të Tiranës", thuhet në letër.

Kjo raca e ndërtuesve në Shqipëri e quajnë abuzim zbatimin e një ligi dhe një rregulli dhe anormalitetin që i shkaktojnë qytetit e quajnë pune normale të tyre. Në fakt këta e kanë kapur shtetin, pasi shteti ju ka dhënë atyre lejen e madhe të ndërtimit te madh dhe këto lejet e vogla të qarkullimit mbyten nga lejet e mëdha.

Mediat kur nuk vihen në shërbim të ndërtuesve dhe të leje dhënësve në rastin më të mirë heshtin.

Nga ky gjoja duel shtet - ndërtues, të gjitha gjasat janë që do fitojnë ndërtuesi. Betonierat do vazhdojnë të betonizojnë akoma ditë dhe natë qytetin e Tiranës.

A ka një zgjidhje të kurimit të qytetit të cmëndur të Tiranës?

Zgjidha, edhe pse e vonuar, por që së paku nuk agravon cmendurinë e Tiranës është ajo që u tha dhe nuk u bë në 2015 nga Erion Veliaj. Zero ndërtime në Tiranë e shoqëruar me një revolucion të mobilitetit, bazuar në lëvizjen me bicikleta në Tiranë.