Arritjet për mjedisin, 2017

Arritjet për mjedisin, 2017

Në këtë shkrim kryesisht pasqyrohen arritjet e çështjeve, ku shoqëria civile është përfshirë, pasi Qeveria, njesitë vendore dhe çdo institucion e bëjnë vetë bilancin e tyre.

Importi i Plehrave

Suksesi më i madh i shoqërisë civile qysh prej viteve 90 i perket vitit 2017. Rrëzimi i ligjit të importit të plehrave në Shtator 2017 erdhi si rezultat i një fushate 1 vjeçare drejtuar nga grupimi i aktivistëve të Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP). Fushata pati një kulminacion në Tetor 2016, ku rreth 3000 vetë marshuan drejt kryeministrisë, pas një serie protestash pararendese. Më pas presidenti Nishani miratoi dekretin që e kthente ligjin për rishqyrtim në Kuvend dhe pas 1 viti dekreti u fut për votim në Kuvend dhe ligji i importit të plehrave u rrëzua. Fushata e vazhdueshme, më shumë mediatike gjatë vitit 2017 konsolidoi mendimin qytetar në shumicë absolute se importi i plehrave nuk është një opsion për Shqipërinë. Politika ju bind vullnetit të qytetarëve.

Incineratoret

Beteja për ndërtimin ose jo të inceneratorëve për djegjen e plehrave ka shkuar paralel me ligjin e importit të plehrave, por ndërsa beteja për ligjin e importit të plehrave u mbyll, beteja për incineratorët është në shpërthim. Mund të thuhet se beteja për incineratorët që ka filluar do të jetë edhe më e fortë. Protestat të komuniteteve të fshatrave në Fier, që kanë filluar prej rreth 1 viti janë shoqëruar me një debat të vazhdueshëm në publik. Shoqëria civile, ku përsëri AKIP është në front të parë ka një konsensus se alternativa e menaxhimit të mbetjeve nëpërmjet incineratorëve është e gabuar dhe në kundërshtim me ligjin e menaxhimit të mbetjeve dhe direktivat e BEsë. Për më tepër ka një dyshim të arsyeshëm prej shoqërisë civile se incineratorët janë pararendës së importit të plehrave. Ky dyshim vjen edhe për faktin se maxhoranca politike ka deklaruar se do ti kthehet ligjit të importit të plehrave, sapo të sqaroj njerëzit. Anashkalimi i ligjit dhe strategjisë së menaxhimit të mbetjeve, shpjetësia dhe fshehtësia e procedurave në kushtet e mungesës së transparencës në sytë e publikut e ka klasifikuar iniciativën qeveritare për ndërtim incineratorësh si aferë korruptive. Konçesionet e dhëna për incineratorë në Fier e Tiranë janë në qëndër të vëmëndjes të shoqërisë civile. Anullimi i konçesioneve të këtyre incineratorëve dhe kthimi fuqishëm tek skema europiane e menaxhimit të mbetjeve duket do të jetë beteja më e fortë e vitit 2018.

Parqet Kombëtare

Parku Kombëtar i Valbonës është në rrezik. Mijra ton beton po derdhet në Valbonë e qindra eksplozione janë bërë në luginë për të hapur tunele e për të futur lumin në tub për ndërtim HECesh. Shoqata Toka dhe banorët kanë paditur në gjykatën administrative shtetin dhe Kompaninë Gener 2 duke kërkuar paligjshmërinë e kontratës, e cila është firmosur në kundërshtim me ligjin për zonat e mbrojtura. Arritje në këtë çështje është jo vetëm fillimi i një beteje ligjore, por edhe rritja e ndërgjegjsimit të komunitetit dhe mbarë publikut Shqiptar shoqëruar me një varg protestash në Valbonë, Tropojë e Tiranë.

Parku Kombëtar Divjak-Karavasta është nën kërcënim nga një projekt betonizimi, nën interpretimin joshës resort turistik. Shoqëria civile edhe në këtë rast ka një qëndrim tërësisht të unifikuar për ta mbrojtur Parkun nga dhunimi i tij prej interesave për fitim të paligjshëm në dëm të mjedisit dhe natyrës Shqiptare. Gjatë vitit 2017 ka pasur një fushatë intensive informimi të publikut dhe shtëpia më e madhe e shpendëve migrator në territorin e Shqipërisë mbetet e tyre, e pacënuar.

Vjosa

Ishte padyshim arritje që në këtë vit u arrit që kompania konçesionare e HEC të Poçem u zmbraps. Beteja për të shpëtuar rrjedhën e lirë të lumit Vjosa, si i vetmi lum i madh e egër në Europë ka filluar të paktën prej 4 vitesh, me protesta në luginë e në Tiranë. Në këtë betejë aktivistët e Shqipërisë kanë pasur edhe një mbështetje të madhe ndërkombëtare, ku një rol të jashtëzakonshëm ka luajtur organizata Riverwatch dhe Euronature. Ndryshe nga betejat e tjera mjedisore në betejën për Vjosën janë angazhuar edhe shkencëtarë ndërkombëtar. Arritja më e madhe e 2017s ishte fitorja në Gjykatë, ku u vërtetua që kompania ndërtuese shumicën e dokumentit të VNM (Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis) e kishte thjesht të kopjuar nga dokumenti i një objekti tjetër në një vend tjetër. Kjo njëherazi është një turp dhe përgjegjësi për institucionet tona shtetërore që shqyrtojnë e firmosin leje mjedisore. Vigjilenca e shoqërisë civile bëri që një nga segmenteve më të bukura të Vjosës në Këlcyrë të shpëtonte prej betonizimit, për më tepër pa leje prej kompanisë Hari Lena. Beteja që duhet fituar në vazhdim është anullimi i konçesionit të HEC Kalivaçit.

Mjedisi në Tiranë dhe timoni në drejtimin e gabuar

Të gjithë e pranojnë se Bashkia e Tiranës dhe Erjon Veliaj po punon e Tirana po ndryshon për së miri. Përtej punëve bashkiake në lidhje me mjedisin duhet përmendur iniciativa e mirë për të vendosur çmim për qeset plastike në disa supermerkata dhe furrat e bukës si dhe promovimi i autobuzit elektronik dhe ndërtimi i disa korsive të biçikletave.

Pikërisht 1 vit më parë me miratimin e planit Tirana 2030 qyteti i Tiranës po ecën në drejtimin e gabuar. Rritja e intesitetit të ndërtimit mund ta çoj Tiranën në një lloj kolapsi të qytetit. Tirana ka një dendësi mbi 15000 banorë për km 2, ndërkohë kur kryeqytetet e Europës variojnë 3–6 mijë banorë/km2. Intensifikimi i ndërtimeve, siç u pa dhe me lejet e shumta të ndërtimit në Tiranë në vitin 2017 inkurajon shtimin e popullsisë me rritme akoma çfrenuese të Tiranës, duke gllabëruar gjysmën e territorit të popullsisë së vendit.

Ka pasur një qëndrim kritik dhe të argumentuar për këtë drejtim të gabuar të Bashkisë së Tiranës, por kryetari i Bashkisë ja ka dalë ti shmanget debatit substancial të perespektivës së qytetit. Qytetarët kanë dalë edhe në protestë në rastin e prishjes së parkut dhe fillimit të ndërtimit të masivit të banesave tek rruga e Kavajës, por kanë dështuar të pengojnë uraganin e ndërtimeve në Tiranë. Një çakordim total i drejtimit të Tiranës, po ndodh me konçesionin e incineratorit të djegjes së plehrave të qarkut të Tiranës në qytet të Tiranës. Ndotja e shtuar e ajrit të ndotur të Tiranës nuk është llogaritur në konçesionin 120 milionësh. Shoqëria civile e ka kundërshtuar këtë vendim brenda hapsirave të kufizuara mediatike, dhe kjo është një meritë e vogël e saj për 2017. Incineratori nuk filloi të ndërtohet në 2017. Urimi është që incineratori të anullohet pa betejë në 2018.