Afera e djegësve të plehrave dhe vazhdimi i monologut të Ramës

Afera e djegësve të plehrave dhe vazhdimi i monologut të Ramës

Sa herë që Rama flet dhe mbron konçesionet e djegësve të plehrave aq më tepër shtohet bindja se kemi të bëjmë me një aferë të pastër, që nëse lejohet do shkatërroj jetë njerëzish në shtrirje kohore prej dekadash.

Polemika për trajtimin e mbetjeve ka përfunduar — tha Rama duke e shoqëruar këtë pohim me gjithëfarë sharlantanizmash dhe se e gjithë zona e Fierit do ketë një impiant modern të trajtimit të mbetjeve nga ku do prodhohet energji-shton ai.

Çdo fjalë që thotë Rama në vazhdim të monologut të tij për këtë temën e djgësve të plehrave e ka të mbrapsht, nga monjohja apo të qëllimtë, akoma nuk duket plotësisht e qartë. Kryeministri flet për polemik të mbaruar, kur nuk ka as polemik të filluar. Ka vetëm një denoncim publik dhe protesta qytetare, për një çështje, që është shqetësim global dhe sigurisht Shqiptar, siç është menaxhimi i mbetjeve, për të cilin qeveria me argumenta false dhe me injorim total të komunitetit ka përmbysur strategjinë dhe ligjet e vendit dhe të Bashkimit Europian.

Kryeministri flet për impiant modern të trajtimit të mbetjeve, ndërsa faktet flasin për djegës të rëndom mbetjesh. Ai flet për prodhim energjie, kur ka të ngjarë që incineratori merr energji.

Kryeministri le të informojë publikun se sa energji ka hedhur në rrjetin kombëtar dhe sa ka marr prej tij, sivëllai i djegësit të plehrave në Elbasan, ku ka të ngjarë se më shumë ka marrë se sa ka dhënë? Në monologun e tij kryeministri na solli në mbledhjen e qeverisë dje në Fier argumentin foshnjarak në mbështetje të djegësit të plehrave në Fier se “..në mes të Vjenës ka një impiant që prodhon energji elektrike..”.

Mjafton të përmendim që lartësia e oxhakut të këtij incineratori ëshë 126 m dhe ky i Fierit mund të jetë sa ai i Elbasanit 17m, që do të thotë se helmet e shumta nga oxhaku mbulojnë paq fushat pjellore të Myzeqesë dhe vetë qytetin e Fierit.

Incineratori i Vienës ka një sistem pastrimi state of art, kurse i Ramës me çmim 13 milion Euro, nuk mund të jetë tjetër ve çse rangallë e Italisë. Më tej incineratori i Vienës ka kapacitet sa 25% të mbetjeve të ngurta urbane të Vienës, pasi 60% e mbetjeve riciklohen ose kompostohen, kurse i Fierit ka kapacitiet 200% të mbetjeve të prodhuara nga e gjithë Bashkia e Fierit, që do të thotë se importuesit e plehrave po bëhen gati.

Kur bën krahasim të Shqipërisë me vendet e Bashkimit Europian, Rama duhet ta filloj krahasimin me Greqinë, Kroacinë, Slloveninë, para se të shkoj në Vienë.

Këto vende dhe shumë të tjera, nuk kanë asnjë incinerator edhe pse kryeministrat e këtyre vendeve e dinë, gjithashtu, se Viena ka një incinerator në mes të qytetit. Ka plot artikuj që promovojnë arkitekturën dhe fasadat e incineratorit të Vienës, apo Kopenhagenit dhe fshehin pasojat e incineratorëve.

Raportohet se incineratorët në Europë, emetojnë dioksinë, përbërsin kimik më toksik të njojtur nga njeriu. Kur dioksina nuk gjëndet në gazin e çliruar gjëndet në hirin e prodhuar. Së fundmi është zbuluar se Suedia ka hedhur hirin toksik të incineratorëve në një ishull të Norvegjisë. Incineratorët krijojnë një nxitje perverse, për të prodhuar më shumë plehra, për të shmangur reduktimin, riciklimin e kompostimin, duke shkuar kështu në drejtim të kundërt me politikat e BEsë.

Ndryshe nga Europa që së fundi ka një shmangje dramatike ndaj mbështetjes së incineratorëve, ku mund të përmendim raportin e Parlamentit Europian të Korrikut 2017, që bën thirrje për ndalimin e subvencioneve për incineratorët e mbetjeve, Shqipëria e varfër po i subvencionon incineratorët .

Qindra qytete në Europë, janë duke punuar me moton zero mbetje, pa incinerator. Komisioni Europian thekson se në 2020 vetëm mbetjet jo të riciklueshme mund të incinerohen, por praktikat e deritanishme provojnë se deri 90% e mbetjeve janë të riciklueshme. Ku është Rama me këto direktiva të BEsë?.

Nga ekspertë të BEsë, së bashku me ata Shqiptarë është hartuar strategjia e menaxhimit të mbetjeve deri në vitin 2030. Në këtë strategji që besoj e ka në tavolinë Rama thuhet se nëse ndiqet politika e BEsë, incineratorët e Ramës e të Kokës mbeten të punojnë me 26% të kapacitetit. Konçesionari e di këtë dhe i ka bërë llogaritë që ta marri fitimin e tij 100% e më shumë me apo pa Ramën kryeministër, me apo pa punë të incineratorëve. Rasti me punë është vetëm me djegje të plehrave të importit. Kjo si duket është Shqipëria që do Rama, por jo Shqipëria që duan Shqiptarët.